Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim të gjatë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të kabinetit qeveritar. Sipas burimeve nga brenda institucionit, në këtë mbledhje janë marrë vendime të rëndësishme, përfshirë delegimin de facto të drejtimit të Bashkisë zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe shkarkimin e kryetares së deleguar, Anuela Ristani.
Të njëjtat burime konfirmojnë se Rama ka firmosur largimin e Ristanit së bashku me të gjithë nënkryetarët e tjerë të bashkisë. Prej disa ditësh, zëvendëskryeministrja Balluku ka zhvilluar intervista me drejtorët e bashkisë, duke kërkuar në mënyrë eksplicite praninë vetëm të sekretarit të përgjithshëm dhe jo të Ristanit, duke lënë të kuptohet se vendimi për largimin e saj ishte i miratuar paraprakisht.
Ligjërisht, Edi Rama nuk ka kompetencë për të shkarkuar Anuela Ristanin nga posti i kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, pasi një vendim i tillë i takon ose kryetarit aktual të bashkisë, në këtë rast Erion Veliaj, ose Këshillit Bashkiak. Po ashtu, edhe emërimet në këtë nivel bëhen nga vetë bashkia, jo nga Kryeministria. Prandaj, çdo veprim i ndërmarrë nga Rama në këtë drejtim nuk ka bazë ligjore dhe konsiderohet thjesht një lëvizje politike, për të ushtruar kontroll apo për të dërguar një mesazh brenda mazhorancës. E vetmja mënyrë që Ristani të largohej ligjërisht, përveç vendimit të Veliajt apo Këshillit, do të ishte dorëheqja e saj vullnetare.