Në Vlorë ka nisur një aksion i gjerë pastrimi në kanalin e Siavit, një prej kanaleve kulluese kryesore që derdhet në det përgjatë shëtitores Lungomare. Operacioni po zhvillohet me përfshirjen e forcave të ushtrisë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjeve publike të bashkisë dhe firmave private, ndërsa është inspektuar nga kryebashkiaku Ermal Dredha dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Rama duket se ka vendosur vetë Vengun “roje” nga pas Dredhës, për shkak të mungesës së besimit ndaj kryebashkiakut, i cili është kritikuar publikisht disa herë për menaxhimin skandaloz të plehrave, ndërtimet pa leje dhe mungesën e ujit të pijshëm në qytet.
Dredha deklaroi se ndërhyrja synon të parandalojë përmbytje si ato të një viti më parë dhe do të shtrihet në të gjitha kanalet kulluese të qytetit, bashkë me rehabilitimin e zonave përreth, për të cilat tha se është gati një fond i dedikuar. Ndërkohë, ministri Vengu garantoi se puna nuk do të ndalet derisa të përfundojë rehabilitimi i plotë i të gjitha kanaleve problematike të qytetit, duke shtuar se qeveria shqiptare është e vendosur të mbështesë përpjekjet për të shmangur përmbytjet dhe ndotjen. Kanali i Siavit, prej kohësh i bllokuar e i tejmbushur me mbeturina, është konsideruar si një nga burimet kryesore të përmbytjeve dhe ndotjes që derdhet përditë në det.