Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ironizuese në rrjetet sociale, pasi strukturat e bashkisë Tiranë shembën ndërtimet shtesë të disa lokaleve luksoze pranë kompleksit Delijorgji. Rama, në vend që të jepte një qëndrim institucional, zgjodhi të tallet me situatën përmes një videoje gazmore, duke e shitur ndërhyrjen si një “fitore për komunitetin dhe këmbësorët”.
Në përshkrimin e postimit, ai shkruan se tashmë qytetarët mund të “marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave”, duke lënë të kuptohet se më shumë se një veprim ligjor, ndërhyrja kishte karakter selektiv dhe shfaqës. Ndërkohë, ky operacion është parë me skepticizëm nga një pjesë e publikut, që e konsideron si një përpjekje për të treguar “muskujt” ndaj bizneseve të caktuara, ndërsa shumë zaptues të tjerë të hapësirave publike në Tiranë vazhdojnë të mos preken.