FLASH :

Tmerr në Indonezi: Trageti me 280 pasagjerë përfshihet nga flakët, njerëzit hidhen në det

Një traget me 280 persona në bord është përfshirë nga flakët në brigjet e Indonezisë, duke detyruar pasagjerët e tmerruar të hidhen në det për të shpëtuar. Pamjet dramatike tregojnë anijen të mbuluar plotësisht nga flakë portokalli dhe re tymi gri që ngrihen mbi rrënojat. Trageti KM Barcelona, që operonte në linjën Manado–Tahuda dhe ishujt përreth, mori flakë rreth orës 13:30 me orën lokale, pranë ishullit Talise në rajonin e North Minahasa.

Një video prekëse tregon gra duke qarë dhe pasagjerë me jelekë shpëtimi të ulur në buzë të anijes përpara se të hidhen në ujë. Në një tjetër video, një burrë shfaqet duke shpëtuar një fëmijë të vogël nga deti, ndërsa tregon me tronditje ngjarjen. Një pasagjer, Abdul Rahmad Agu, bëri një thirrje të dëshpëruar në Facebook: “Po digjemi në det… na ndihmoni… shpejt…”. Ekipet e emergjencës janë në vendngjarje dhe operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë intensivisht. Tre anije shpëtimi janë dërguar në ndihmë: KM Barcelona III, KM Venecian dhe KM Cantika Lestari 9F. Trageti ishte planifikuar të ndalonte në portin e Manados kur shpërtheu zjarri. Familjarët e pasagjerëve janë kërkuar të qëndrojnë të qetë dhe të presin informacion zyrtar. Incidenti ndodh vetëm pak ditë pasi një traget turistik në Vietnam u përmbys, duke lënë të paktën 38 të vdekur.