Pamje tronditëse janë publikuar nga përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit jashtë hotelit Bell në Epping, Britani, ku është strehuar një grup azilkërkuesish. Incidenti ndodhi pas arrestimit të një azilkërkuesi etiopian, Hadush Gerberslasie Kebatu, 38 vjeç, i cili është akuzuar për sulm seksual ndaj një vajze të mitur. Në pamjet filmike shihet momenti kur një polic godet me mburojë në fytyrë një protestues, duke i thyer dhëmbët. I lënduari, i mbuluar me gjak, shfaqet duke treguar dhëmbët e rënë para protestuesve të tjerë. Ndërkohë, një tjetër protestues është përplasur nga një furgon policie teksa përpiqej të bllokonte kalimin e automjeteve të policisë.


Përplasjet shpërthyen mes qindra banorëve vendas dhe një grupi kundërprotestuesish anti-racistë. Protestuesit kishin ndërtuar barriera me paleta dhe rrethime plastike për të penguar daljen e policisë, ndërsa në një video tjetër duken duke sulmuar furgonët, duke goditur me shqelma dhe sende të forta. Policia konfirmoi se tetë efektivë u dhunuan gjatë përplasjeve. Dy persona u arrestuan, përfshirë një 33-vjeçar i dyshuar për dhunë dhe dëmtim të pronës, si dhe një tjetër për mospërfillje të urdhrave të shpërndarjes. Ndërkohë, Kebatu është në pritje të gjykimit për tre akuza për sulm seksual, një për nxitje të një të miture për akt seksual dhe një për ngacmim pa dhunë, të cilat i ka mohuar. Policia ka nisur hetimet edhe për incidentin e dhunshëm me protestuesin e lënduar nga mburoja.

