Një ndeshje miqësore e zhvilluar në “Elbasan Arena” mes Elbasanit dhe Pogradecit është kthyer në një skenë kaosi dhe dhune. Në fundin e takimit, një përplasje verbale mes futbollistëve ka degjeneruar në një sherr masiv, që përfshiu jo vetëm lojtarët, por edhe anëtarë të stafit dhe tifozë të pranishëm në tribuna.
Sipas dëshmitarëve, gjithçka nisi pas një sjelljeje provokuese nga një prej lojtarëve të ekipit mik, çka solli reagimin e ashpër të futbollistëve të Elbasanit. Situata doli jashtë kontrollit kur në fushë u futën edhe persona të tjerë nga pankinat dhe disa tifozë që kapërcyen rrethimin, duke përshkallëzuar tensionin.
Për disa minuta fusha u kthye në arenë përplasjesh fizike, me fyerje dhe hedhje objektesh, derisa forcat e sigurisë ndërhynë për të ndalur përplasjet. Lojtarët e Pogradecit u detyruan të futen me vrap në dhomat e zhveshjes për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Një ngjarje e papranueshme, veçanërisht për një ndeshje që duhej të kishte karakter miqësor.