Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion të gjerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i koduar “The Wrong Meeting”, i zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, ka çuar në arrestimin e tre shtetasve, në shpalljen në kërkim të dy të tjerëve dhe në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, armësh dhe pajisjesh të përdorura për kultivim.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithsej 6.2 kilogramë kanabis në formë boçeje (e dyshuar e prodhuar me ndihmën e llambave), një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, dy jelekë antiplumb, pajisje për kultivim të bimëve narkotike, dy automjete dhe gjashtë aparate celularë.
Dy prej të arrestuarve, Sh.T., 36 vjeç nga Vorë, Tiranë, dhe D.S., 21 vjeç nga Peqin, u kapën në flagrancë në një parking në zonën e Golemit, teksa po shkëmbenin 4.5 kg kanabis. Ndërkohë, hetimet çuan edhe në ndalimin e një të mituri, J.B., 17 vjeç nga Golemi, i cili strehohej në një ambient pranë vendit të shkëmbimit dhe ku u gjetën edhe 1.1 kg kanabis.
Kontrollet e mëtejshme të Policisë në banesën e Sh.T. në Tiranë, zbuluan edhe 600 gram kanabis të tjerë, armën e zjarrit, municione, si dhe pajisje për përshtatjen e ambienteve për kultivim me anë të llambave.
Policia ka shpallur në kërkim edhe G.S., 39 vjeç, dhe M.Ll., 33 vjeç, të dy nga Peqini, të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti të strukturuar kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së drogës. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe dokumentimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore. Policia e Durrësit thekson se operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë pa ndërprerje.