FLASH :

Një thesar natyror 1400 metra mbi det, Liqeni i kallabakut po shndërrohet në destinacion turistik

Në lartësinë 1400 metra mbi nivelin e detit, mes gjelbërimit të pyjeve të mështeknës dhe bredhit, qëndron një nga perlat e parkut kombëtar Korab-Koretnik: liqeni i Kallabakut, një ujëmbledhës me bukuri të rrallë natyrore. Ky vend me peizazh mbresëlënës po tërheq çdo ditë gjithnjë e më shumë vizitorë, sidomos gjatë fundjavave, duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më të njohur turistik.
Nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, familje, të rinj dhe grupe entuziastësh të natyrës vijnë për të përjetuar eksperiencën pranë liqenit. Një ndër pikat më të frekuentuara është e ashtuquajtura “shtegu i ngjyrave”, rruga e të cilit nis pikërisht nga liqeni i Kallabakut.

Liqeni i Kallabakut ka origjinë njerëzore, ai u ndërtua gjatë periudhës së komunizmit si pjesë e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore në zonën e Shishtavecit. Me kalimin e viteve, sistemi u doli jashtë përdorimit, por liqeni mbeti aty, duke pritur të zbulohej për një funksion tjetër – këtë herë turistik.
Sot, grupe të rinjsh dhe turistë të huaj arrijnë në çdo moment të ditës, qëndrojnë për një vizitë të shkurtër dhe më pas vazhdojnë drejt destinacioneve të tjera. Shumë prej tyre mësojnë për këtë perlë të fshehur falë nismave të individëve guida turistike, që promovojnë vendin me pasion dhe përkushtim.


Pamjet që ofron liqeni janë mbresëlënëse në çdo stinë nga verërat e freskëta deri te dimrat me sipërfaqe të ngrirë, që i japin një tjetër dimension vizual peizazhit. Potenciali i Kukësit për zhvillimin e turizmit ujor është i jashtëzakonshëm. Kohët e fundit janë shtuar përpjekjet për të ofruar më shumë aktivitete në ujë, si dhe për të pajisur zonën me infrastrukturën e nevojshme për sporte dhe aventura. Këto pasuri ujore, përveçse mund të shërbejnë për tërheqje turistike, mund të ringjallin edhe sektorin e peshkimit, dikur një ndër degët më të zhvilluara të ekonomisë lokale në Kukës.

Për të përmirësuar aksesin dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm turistik, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur ndërtimin e një rruge që lidh rrugën kryesore Kukës–Shishtavec me liqenin e Kallabakut, duke e integruar këtë pasuri natyrore në rrjetin e destinacioneve të aksesueshme për vizitorët.