Një punishte e specializuar për prodhimin e silenciatorëve për armë zjarri është zbuluar në zonën e Kombinatit në Tiranë. Policia arrestoi në flagrancë 30-vjeçarin H. N., i cili u kap teksa lëvizte në rrugë me armë zjarri me silenciator gati për qitje.
Operacioni policor i koduar “Punishtja” çoi në sekuestrimin e një arme zjarri me silenciator, një pushke, municioni luftarak, dozash kokaine dhe sendeve të tjera të kundraligjshme. Gjatë kontrollit në afërsi të banesës së të arrestuarit, u zbulua edhe punishtja ku prodhoheshin silenciatorët, të cilët dyshohet se përdoreshin për krime kundër personit dhe pronës. Materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i plote
Finalizohet operacioni policor i koduar “Punishtja”. Lëvizte me armë zjarri me silenciator gati për qitje, kapet në Kombinat dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
Zbulohet një punishte në të cilën 30-vjeçari prodhonte silenciator për armë të ndryshme dhe më pas dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Sekuestrohen arma e zjarrit me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, rreth veprimtarive kriminale të një shtetasi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Punishtja”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi H. N., 30 vjeç, banues në Kombinat.
30-vjeçari u kap në flagrancë duke lëvizur në qendër të Kombinatit me armë zjarri me silenciator, gati për qitje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Në vijim të veprimeve, në afërsi të banesës së të arrestuarit, u zbulua një punishte që dyshohet se përdorej nga 30-vjeçari për prodhimin e silenciatorëve për armë të ndryshme dhe më pas dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.