Një magazinë në Vorë, ku falsifikoheshin datat e skadencës së produkteve ushqimore të skaduara, është zbuluar nga Policia e Shtetit gjatë operacionit “Siguria Ushqimore”. Në pranga kanë rënë Florenc Domi, administrator i subjektit, dhe Agim Domi, magazinier, ndërsa janë proceduar penalisht edhe ortaku dhe shoferi i magazinës. Produktet, të cilat ishin skaduar në janar dhe shkurt, përpunoheshin dhe rietiketoheshin për t’u hedhur sërish në treg pa dokumentacion tatimor.
Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport në Tiranë, Durrës e Elbasan, grumbullonte mallra të skaduara dhe i hidhte në treg me etiketa të falsifikuara. Gjatë operacionit u sekuestruan 716 koli ushqimesh të rrezikshme për shëndetin. Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për disa vepra të rënda, përfshirë “Falsifikimin”, “Mospagimin e taksave”, “Punësim të paligjshëm” dhe “Shitje ushqimesh të rrezikshme për jetën”. Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me sigurinë ushqimore në numrin 112.