Rreth 30 trupa të ushtrisë janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit në operacionin për shuarjen e flakëve në Belishovë të Mallakastrës, ku zjarri ka hyrë tashmë në ditën e gjashtë. Përveç forcave ushtarake, në terren po punojnë edhe shërbimet zjarrfikëse, emergjenca civile dhe policia bashkiake, ndërsa intensiteti i flakëve është ulur në mëngjesin e sotëm.
Zjarri, që nisi në masivin pyjor të Drenovës, është përhapur më tej në kodrat e Gorishovës – ku u dogjën dhjetëra rrënjë ullinj – për të përfunduar në Belishovë, ku mbrëmjen e kaluar situata doli përkohësisht jashtë kontrollit. Deri tani nuk është kërkuar ndërhyrje nga ajri, pasi nuk ka ende një vlerësim zyrtar të situatës.