SPAK ka njoftuar se data 22 korrik është caktuar për fazën tjetër të procesit kualifikues në garën për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shtatë kandidatët në garë janë njoftuar që në këtë datë duhet të paraqiten në zyrat qendrore të SPAK për të dorëzuar dhe prezantuar esenë e tyre, që përbën një hap të rëndësishëm në vlerësimin përfundimtar.
Kjo vjen pas përfundimit të fazës së testimit fizik, e cila u zhvillua javën e kaluar në ambientet e repartit special RENEA, ku kandidatët iu nënshtruan disa provave fizike në disiplina të ndryshme sportive. Gara për kryesimin e BKH-së po zhvillohet në disa faza, nën mbikëqyrjen e strukturave të posaçme antikorrupsion.