Odise Roshi ndryshon skuadër, por jo kampionat. Mesfushori shqiptar me tipare sulmuese ka arritur akordin për të qëndruar sërish në Kategorinë e Parë të Turqisë për të vijuar kështu karrierën në këtë shtet.
Pas eksperiencës së shkëlqyer me Erzurumspor, Roshi është bindur nga projekti i skuadrës kryeqytetase, Keçiorengucu. Ekip tepër ambicioz, që do të luftojë për t’u ngjitur në elitën e futbollit turk në fund të sezonit.
Për 34-vjeçarin, aventura në Ankara do të jetë e katërta radhazi në Kategorinë e Parë të futbollit turk, pasi përveç Erzurumspor ka veshur edhe fanellën e Boluspor dhe Sakaryaspor.
Odise Roshi shënoi 7 herë dhe dhuroi 4 asiste në sezonin e shkuar, por pa arritur ta ndihmojë skuadrën që të ngjitet në Superligë, pavarësisht pozicionimit në zonën e play-off-it.
Tashmë i tërhequr nga kombëtarja, fieraku është fokusuar totalisht tek klubet. Gjatë gjithë karrierës së tij me kombëtaren, Odise Roshi, i njohur me nofkën “Raketa” nga tifozët, numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, ndërsa ishte pjesë e skuadrës në kualifikimin historik në “Euro 2016” dhe pjesë e saj në finalet e Europianit.