FLASH :

Plagoset lehtë prifti katolik në Gaza, por nuk largohet: “Jemi të tmerruar, por kjo është shtëpia jonë”

Prifti argjentinas Gabriel Romanelli, famullitar i Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza, është plagosur lehtë në këmbë gjatë bombardimeve të fundit nga ushtria izraelite, ndërsa qëndronte brenda famullisë së tij. Ai është transportuar në spital, por ka refuzuar të largohet nga Gaza, duke deklaruar: “Jemi të tmerruar, por kjo është shtëpia jonë dhe nuk largohemi”.

Prej më shumë se 10 vitesh në Gaza, Romanelli ka qenë një figurë e rëndësishme për komunitetin lokal, duke shërbyer jo vetëm si prift, por edhe si kujdestar, mësues dhe ndihmës humanitar. Pavarësisht shëndetit të dobët, ai është kthyer në maj 2024 për të qenë pranë famullisë, pas një mungese të detyruar për shkak të bllokadave izraelite. Në rrëfimin e tij prekës, prifti tregon për vetminë, shkatërrimin dhe shpresën, duke përdorur rrjetet sociale për të treguar vuajtjet dhe qëndresën e bashkësisë së tij: “Që bota të mos na harrojë”.