Pas një performance të shkëlqyer në sfidën ndaj Daugavpils, ku shënoi gol dhe dhuroi një asist, Kevin Dodaj i dha një fund të paharrueshëm aventurës së tij me Vllazninë, duke ndihmuar skuadrën shkodrane të sigurojë kualifikimin për në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Pas këtij kulmi emocional, mesfushori 19-vjeçar është gati për të nisur një sfidë të re në karrierë. Ai do të transferohet në Bullgari, te gjiganti CSKA Sofia, një klub me histori të pasur suksesi, që numëron 56 trofe të fituar ndër vite.
Dodaj do të bashkohet me dy lojtarë të tjerë shqiptarë në radhët e skuadrës bullgare: Lumbardh Dellova dhe Zymer Bytyqi, duke e bërë ambientimin më të lehtë në një realitet të ri futbollistik.
Në një prononcim pas ndeshjes, vetë lojtari konfirmoi lëvizjen:
“Bëhet fjalë për CSKA-në e Sofies. Tani për tani mbetet të shohim zhvillimet në ditët e ardhshme, por unë do të jap gjithmonë maksimumin, kudo që të jem dhe për çdo minutë që më jepet.”
Një hap i madh për talentin shkodran, që duket i vendosur të shkëlqejë edhe jashtë kufijve shqiptarë.