FLASH :

Influencuesja që bëri 21 fëmijë me nënat surrogate rikthehet pas 2 vitesh: festë luksoze për lirimin nga burgu të burrit vrasës

Pas afro dy vitesh mungesë nga rrjetet sociale, influencuesja ruse Kristina Ozturk, 27 vjeç, e njohur në mbarë botën si “mamaja e 21 fëmijëve surrogate”, është rikthyer në mënyrë dramatike në Instagram për të festuar lirimin nga burgu të bashkëshortit të saj, milionerit turk Galip Ozturk. 60-vjeçari, themelues i kompanisë së madhe të transportit Metro Turizm në Turqi, u lirua me kusht pas dy vitesh nga një dënim tetëvjeçar për akuza të lidhura me drogën, ndërsa më parë kishte qenë në arrati pasi një gjykatë turke e kishte dënuar me burgim të përjetshëm për porositjen e një vrasjeje në vitin 1996.

Rikthimi i Kristina-s erdhi me një video në Instagram që dokumentonte përgatitjet për ardhjen e Galipit në shtëpinë e tyre në Batumi të Gjeorgjisë, ku jetojnë me fëmijët e tyre të shumtë – 21 prej të cilëve janë të lindur nga nëna surrogate mes viteve 2020–2021. Në pamjet, Kristina shfaqet duke u zbukuruar për burrin e saj dhe duke mirëpritur edhe fëmijët e tij nga martesa e mëparshme. “E realizuam,” shkruante ajo në mbishkrimin e videos. Festa luksoze shënoi një kthim emocional për çiftin që ishte ndarë për gati dy vite për shkak të burgosjes së Galipit, pas një operacioni të forcave speciale që zbuluan sasi të mëdha droge në pronat e tij.

Gjatë periudhës së burgut, Kristina kishte ndarë me ndjekësit e saj vuajtjet emocionale që kishte përjetuar. Në një postim të vitit 2022, ajo shkruante: “Nuk e përballoj dot heshtjen, nuk mundem të zgjohem dhe të fle vetëm. Nuk mundem të mos shoh më të qeshurën e tij, zërin e tij, përqafimin e tij.” Ajo e përshkruante veten si të zhytur në vetmi, pavarësisht numrit të madh të fëmijëve përreth. Pas arrestimit të Galipit, Kristina kishte treguar vështirësitë që kishte për t’ia shpjeguar situatën vajzës së saj të madhe, Vika – e vetmja nga fëmijët që nuk ka lindur nga nënë surrogate.

Çifti u bë i famshëm globalisht në vitin 2021 kur Kristina zbuloi se kishin shpenzuar më shumë se 138 mijë paund (rreth 168 mijë euro) për të sjellë në jetë 20 fëmijë përmes nënave surrogate brenda një viti. Kristina, e lindur në Moskë, e takoi Galipin gjatë një pushimi në Batumi, ku ai zotëronte një hotel. Ajo e përshkruan si dashuri me shikim të parë dhe e quan “princ përrallash, mentor dhe udhërrëfyes”. Edhe pse 32 vite më i madh dhe me fëmijë të rritur, Galip kishte pranuar menjëherë dëshirën e Kristina-s për të ndërtuar një familje të madhe. Ajo madje kishte deklaruar se kishin në plan të kishin 105 fëmijë biologjikë përmes surrogacisë.

Pas arrestimit të Galipit në Gjeorgji në maj 2022, Kristina vazhdoi të postonte përvojat e saj si nënë e 22 fëmijëve (përfshirë edhe vajzën nga martesa e parë), duke folur hapur për sfidat e mungesës së bashkëshortit dhe duke bërë vizita të rregullta në burg. Në një postim të titulluar “24 orët më të gjata”, ajo kishte dokumentuar një udhëtim emocionues për ta takuar në burg, së bashku me djalin e tyre më të madh, Mustafa. “U ndjemë si të sapomartuar, të emocionuar, duart na djersiteshin, dhe sytë nuk na ndaheshin,” shkruante ajo.

Pas nëntorit 2023, Kristina u zhduk nga rrjetet sociale, duke lënë ndjekësit në pasiguri të plotë. Mijëra komente në postimet e saj më të fundit pyesnin për gjendjen e saj dhe përse kishte heshtur. Tashmë, rikthimi i saj me festën për lirimin e Galipit ka ngjallur sërish vëmendje të madhe. Deri më tani, Kristina nuk ka komentuar publikisht për kushtet e lirimit të burrit të saj, por fakti që ka rifilluar postimet në Instagram tregon një rikthim të mundshëm të aktivitetit të saj online dhe ndoshta edhe planet për të vazhduar zgjerimin e familjes.

Ndër fëmijët e saj janë: Victoria (9 vjeç, nga martesa e parë), Mustafa, Maryam, Ayrin, Alice, Hassan, Judy, Harper, Teresa, Hussein, Anna, Isabella, Ismail, Mehmet dhe Ahmet (të gjithë trevjeçarë), si dhe Ali, Kristina, Alena, Sarah, Lockman, Alparslan dhe Olivia – kjo e fundit lindur në janar 2021. Pas dy vitesh heshtje dhe trazirash, “mamfluencerja” më e komentuar në botë duket e vendosur të fillojë një kapitull të ri.