Një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer rreth orës 03:45 të mëngjesit të sotëm në derën e një lokali në ‘Rrugën e Durrësit’ në Tiranë, në pronësi të Arbër Sinanit. Nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale si në lokalin e Sinanit, ashtu edhe në dy biznese pranë tij.
Sinani ka deklaruar para policisë se nuk ka konflikte dhe nuk ka dijeni për autorët, ndërsa në Shqipëri rezulton pa precedent penal. Megjithatë, burime jozyrtare bëjnë me dije se ai ka jetuar për disa kohë në Gjermani dhe dyshohet për përfshirje të mëparshme në aktivitet me lëndë narkotike, duke ngritur dyshime për ndonjë përplasje të mundshme të lidhur me botën e drogës.
Dy kamerat e lokalit nuk janë të pajisura me sistem regjistrimi (DVR), çka e vështirëson hetimin, ndërkohë që janë sekuestruar pamje sigurie nga bizneset përreth. Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.