FLASH :

Video/I riu pakistanez lufton si luan për prindërit që po rriheshin nga policia angleze

Pamje tronditëse të publikuara nga kamerat e sigurisë në Aeroportin e Manchester-it tregojnë momentet kur Mohammed Fahir Amaaz, 20 vjeç, godet me grushta tre oficerë policie – dy gra dhe një burrë – të cilët po përpiqeshin ta ndalonin pasi ai kishte përplasur me kokë një pasagjer në një kafene Starbucks. Ngjarja ndodhi korrikun e kaluar, por dëshmia e Amaazit në gjykatë këtë javë ka hedhur dritë mbi një version krejt tjetër të historisë.

Sipas të pandehurit, ai nuk e kuptoi fillimisht se ishte ndaluar nga policia. “Mendova se isha nën sulm nga ndonjë mik i pasagjerit që sapo kisha goditur, ndaj u tensionova,” u shpreh Amaaz. Ai pretendoi se kur kuptoi se oficeri që e kapi ishte polic, e kishte kapluar frika. “Besova se do të më hidhte në tokë dhe do të më rrihte për vdekje,” tha ai përpara jurisë, duke shtuar se ndalimi u bë pa paralajmërim dhe pa u identifikuar si policë.

Sipas tij, gjithçka nisi kur ai dhe vëllai i tij Amaad, 26 vjeç, shkuan në aeroport për të pritur nënën e tyre që kthehej nga Katari. Ajo kishte raportuar se ishte fyer gjatë fluturimit me sharje raciste nga një pasagjer, Abdulkareem Ismaeil. Amaaz pohoi se i kërkoi këtij personi një shpjegim dhe një ndjesë, por kur hasi rezistencë dhe kërcënime verbale, reagoi duke e goditur me kokë.

Më pas, ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga aeroporti, Amaaz u ndal nga policët pranë pikës së pagesës së parkingut. Në videon e incidentit, ai shihet duke goditur me grushta dhe bërryla, si dhe duke përplasur një police në fytyrë, duke i thyer hundën. Ai u shpreh se nuk e kuptoi që ajo ishte grua, pasi ajo po godiste të vëllanë dhe kishte ndërhyrë papritur. Gjithashtu, ai tha se në një moment kishte menduar se një nga oficerët po i drejtonte armën vëllait të tij, kur në fakt ishte një pistoletë elektroshoku (Taser).

Amaaz u qëllua vetë me Taser nga një oficere tjetër. “U ndjeva sikur më iku shpirti nga trupi. Ishte dhimbja më e keqe që kam ndjerë ndonjëherë,” deklaroi ai. Më pas, ai tha se u godit me shkelm në kokë nga njëri prej policëve ndërsa ndodhej tashmë i shtrirë në tokë. Oficeri në fjalë, PC Marsden, mohoi që goditja të kishte qenë hakmarrëse, duke thënë se nuk e kuptoi se i riu ishte tashmë neutralizuar.

Të dy vëllezërit përballen me akuza për sulm ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtim trupor të rëndë. Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se kanë vepruar në vetëmbrojtje dhe në mbrojtje të njëri-tjetrit. Në sallën e gjyqit, u bë me dije se gjashtë anëtarë të familjes së tyre janë aktualisht ose kanë qenë më parë pjesë e policisë. Amaaz tha se nuk ka ndonjë armiqësi ndaj policëve dhe se i respekton për rolin e tyre, por se në atë moment besonte me të vërtetë se po luftonte për jetën e tij.

Gjykimi është ende në zhvillim.