Një operacion i rrallë spiunazhi u zhvillua më 17 korrik në Kosovë, duke çuar në arrestimin e Bojan Jevtiq, zyrtar policor me gradën e togerit, i dyshuar për rrjedhje informacioni drejt shërbimit sekret serb BIA. Arrestimi u krye në mëngjes, ndërsa ai po nisej për në punë, në kuadër të një aksioni të koordinuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), Agjencia e Inteligjencës (AKI) dhe Prokuroria Speciale.
Pas arrestimit, hetuesit bastisën banesën e tij në një fshat të Komunës së Kamenicës dhe më pas zyrën e tij në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Gjatë bastisjes u sekuestruan dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, pajisje elektronike, armë e padeklaruar dhe shuma të mëdha parash, përfshirë 10 mijë euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane. Jevtiq është suspenduar fillimisht për 72 orë, me gjasë deri në përfundim të hetimeve. Drejtuesit e IPK dhe AKI e kanë cilësuar operacionin një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit institucional në luftën kundër rrezikut të spiunazhit.