Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën për shpërdorim detyre lidhur me abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë drejtimit të Agjencisë Shtetërore të Programit IPA, ka përjetuar një incident të rëndë shëndetësor brenda qelisë së tij.
Burime mjekësore thanë se Beqaj ka shfaqur një gjendje të rënduar pas konsumit të disa ilaçeve, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar një reaksion të fortë alergjik. Ai ka marrë trajtim të menjëhershëm dhe është vënë nën mbikëqyrje të specializuar.
Megjithatë, burime jozyrtare nga ambientet e burgut të Durrësit sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një tentativë vetëvrasjeje nga ana e Beqajt. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe mbeten në nivel dyshimi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar, ndërsa incidenti ka ngjallur shqetësim në ambientet e paraburgimit dhe në qarqet politike.