Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, është dërguar së fundmi në një spital privat në Durrës për të kryer një seri analizash mjekësore. Burime pranë tij bëjnë me dije se Veliaj po përballet me probleme të thella psikologjike, përfshirë pagjumësi dhe mungesë energjie, të cilat duket se kanë përkeqësuar gjendjen e tij shëndetësore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Sipas burimeve, vizita në spitalin privat ka ardhur pas shqetësimeve të rënda për gjendjen mendore të tij, ku autoritetet dhe stafi mjekësor kanë kërkuar të bëjnë një vlerësim më të detajuar të situatës. Gjendja e Veliajt ka ngjallur shqetësim të madh në qarqet politike dhe është bërë objekt i vëmendjes së mediave dhe opinionit publik.
Ndërkohë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet gjithashtu në paraburgim, ka përjetuar një krizë të rëndë shëndetësore pas konsumit të sasive të mëdha të ilaçeve. Mësohet se ai dyshohet të ketë tentuar të vetëvritet, duke shkaktuar alarmin në ambientet e burgut dhe tek stafi mjekësor.
Situata në burgun e Durrësit është bërë gjithnjë e më e tensionuar, ndërsa shëndeti mendor i të paraburgosurve, veçanërisht atyre me profil politik, duket se po përkeqësohet ndjeshëm për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së mbështetjes adekuate psikologjike.