Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka firmosur një vendim të Këshillit të Ministrave që autorizon ministrin për çështjet vendore, Arbjan Mazniku, të nisë negociatat me bashkitë për krijimin e një organizate jofitimprurëse të re.
Organizata do të ketë statusin e një personi juridik dhe do të ofrojë trajnime dhe zhvillim profesional për punonjësit dhe zyrtarët vendorë, me qëllim rritjen e kapaciteteve të vetëqeverisjes dhe përgatitjen për sfidat e integrimit në Bashkimin Europian. Shteti do të financojë kostot fillestare dhe të paktën 50% të shpenzimeve për tri vitet e para. Bashkëpunimi do të zhvillohet edhe me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike për miratimin e programeve trajnuese. Vendimi bazohet në ligjin për vetëqeverisjen vendore që lejon bashkëpunimin ndërinstitucional për krijimin e strukturave të përbashkëta.