FLASH :

Video/Skena shkrumbohet para syve të të gjithëve – festivali i shumëpritur në prag katastrofe

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë skenën kryesore të festivalit të famshëm elektronik Tomorrowland, vetëm pak ditë para nisjes së tij në Belgjikë. Pamjet dramatike tregojnë momentin kur skena shpërtheu në një top flake, duke gjeneruar një shtëllungë gjigante tymi, ndërsa shërbimet e emergjencës u dyndën për të vënë situatën nën kontroll. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndonëse mbi 1,000 punonjës ndodheshin në vendngjarje.

Organizatorët njoftuan se kampingu “DreamVille” do të hapet siç ishte planifikuar të enjten, ndërsa mbetet e paqartë nëse festivali do të nisë normalisht të premten, kur pritet të mbërrijnë mbi 100,000 pjesëmarrës. Skena e dëmtuar ishte një nga dy hapësirat kryesore ku do performonin emra të njohur si David Guetta, Armin van Buuren dhe Charlotte de Witte. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, por dëshmitarë thanë se dëgjuan zhurma që ngjanin me fishekzjarrë. Organizatorët janë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ditët e festivalit dhe do të publikojnë më shumë informacion së shpejti.