Një video tronditëse e publikuar në rrjetet sociale ka treguar momentin kur modelja australiane Emma Van Der Hoek bëhet për herë të dytë brenda tre muajve viktimë e një vjedhjeje me grabitje në rrugët e Londrës – këtë herë në mes të ditës, në një lagje të konsideruar të “sigurt”.
Pamjet nga kamerat e sigurisë e tregojnë modelen duke ecur vetëm përgjatë një rruge, me vëmendjen tek telefoni i saj, kur papritur një burrë i veshur me të zeza dhe me maskë i rrëmben telefonin nga dora dhe largohet me vrap. Emma përpiqet ta ndjekë por nuk arrin ta kapë. Në ndjekje shfaqet edhe një person i dytë, i veshur gjithashtu me të zeza. Ngjarja ka ndodhur në të njëjtin rajon ku Emma u grabit edhe herën e parë.
Duke reaguar në Instagram, ajo denoncoi jo vetëm ngjarjen, por edhe komentet fyese dhe fajësuese që mori pas publikimit të videos: “Njerëzit janë aq mësuar me vjedhjet në Londër sa po fajësojnë viktimat në vend që të mbajnë përgjegjës autorët.”
Rasti i saj vjen mes një vale alarmante të vjedhjeve të telefonave në Londër. Vetëm në West End, raportohen mesatarisht 37 raste në ditë, ndërsa në katër vitet e fundit janë shënuar mbi 230 mijë raste të tilla në gjithë kryeqytetin. Policia thotë se këto krime po kryhen kryesisht nga banda të organizuara në biçikleta elektrike dhe se telefoni i vjedhur përfundon në tregje ndërkombëtare, duke ushqyer një industri të paligjshme me vlerë mbi 50 milionë £ në vit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë, të shmangin përdorimin e telefonit në rrugë dhe të qëndrojnë në zona të ndriçuara për të parandaluar vjedhje të ngjashme.





