FLASH :

Vdiq i uritur, i rrahur dhe i shpërfillur: Fëmija 2-vjeçar u vra nga gjyshërit, në heshtjen e nënës dhe dështimin e shtetit

Detaje rrëqethëse kanë dalë nga gjyqi për vdekjen tragjike të Ethan Ives-Griffiths, vogëlushit 2-vjeçar që u abuzua për muaj me radhë deri në vdekje nga gjyshërit e tij dhe në prani të nënës, e cila nuk ndërhyri asnjëherë. Fëmija i dikurshëm i qeshur dhe i mbushur, u shndërrua në një trup të dobësuar nga uria, dehidratimi dhe dhuna sistematike fizike. Ai vdiq më 16 gusht 2021, me mbi 40 dëmtime në trup, përfshirë gjurmë gishti në fytyrë, fraktura, dëmtime në tru dhe gjakderdhje të brendshme – dëshmi të një torture të vazhdueshme.

Gjyshërit Michael dhe Kerry Ives u shpallën fajtorë për vrasje dhe do të dënohen me burgim të përjetshëm në tetor, ndërsa e ëma e Ethan-it, Shannon Ives, u shpall fajtore për lejimin e vdekjes së të birit dhe shpërdorim të detyrës prindërore. Gjatë gjyqit, u zbulua se shërbimet sociale kishin dështuar në mënyrë sistematike të mbronin vogëlushin, duke e parë vetëm një herë në 41 ditët para vdekjes së tij, megjithëse ai ishte futur në regjistrin e mbrojtjes së fëmijëve. Rasti i Ethanit, i ndodhur gjatë kufizimeve të pandemisë, shënon një tjetër dështim tragjik institucional në mbrojtjen e fëmijëve në rrezik.