Përplasja mes figurave kryesore të nismës “Shqipëria Bëhet” ka marrë përmasa publike, teksa Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani kanë shkëmbyer akuza të ashpra në rrjetet sociale për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Gjithçka nisi pas një letre që Zeqir Kordhoi, daja i Endri Shabanit, i dërgoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku shprehte gatishmërinë për të marrë mandatin nëse i vjen radha. Kjo nxiti reagimin e menjëhershëm të Lapajt, i cili e akuzoi publikisht familjen e Shabanit se po tenton ta lërë jashtë Kuvendit.
“E futa në gji dajon e Endrit, tani do të më marrë mandatin. Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?!”, shkruan Lapaj, duke shtuar se ndaj tij dhe lëvizjes që përfaqëson po konsumohet padrejtësi e hapur. Ai theksoi se nuk do të pranojë shantazh dhe se nuk do të shitet, pavarësisht presioneve politike dhe personale.
Por reagimi i Endri Shabanit ishte po aq i ashpër. Në një postim të gjatë, Shabani e akuzon Lapajn se ka mashtruar publikun dhe ka thyer premtimin e bërë para zgjedhjeve. Sipas Shabanit, Lapaj ishte zotuar publikisht se nëse fitonin vetëm një mandat, ai nuk do ta merrte. “Pas zgjedhjeve, Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi edhe Zeqirin”, deklaron Shabani.
Ai shkon më tej, duke e akuzuar Lapajn për presion dhe madje për kërcënime ndaj fëmijëve të Zeqir Kordhonit. “Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, vendosi të mos kthehej mbrapsh”, shkruan ai.
Shabani i kujton Lapajt se mandati nuk do të ishte fituar pa votat e Nismës Thurje dhe pa angazhimin e tij personal, duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi për vendimet dhe listën që ai vetë ka hartuar. “Në vend që të më sulmojë Tiku, duhet të më falenderojë”, shprehet ai.
Në përfundim të reagimit, Shabani bën një apel për një politikë ndryshe, ku mbizotëron ndershmëria dhe fjala e dhënë: “Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet”.
Përplasja e hapur mes dy figurave që dikur bashkëpunuan për një projekt të përbashkët politik, vë në pikëpyetje të ardhmen e koalicionit “Shqipëria Bëhet”, dhe shfaq ndasitë e thella që mund të kenë nisur shumë më herët, por që tani kanë shpërthyer me emra, akuza dhe premtime të thyera.





