Kryetari i bashkisë në Vlorë, Ermal Dredha, i cili e ka detyruar kryeministrin Edi Rama ta kritikojë disa herë publikisht për menaxhimin e tmerrshëm që i ka bërë mbetjeve të qytetit bregdetar, si dhe zjarreve të vazhdueshme që kanë pushtuar këtë qytet në pikun e sezonit turistik, duket se nuk ka zënë mend. Në fakt, një tjetër rast flagrant është bërë publik në media të ndryshme, ku shihet se një nga plazhet më të bukura të Vlorës, ai i Zvernecit, është i pushtuar nga mbeturinat.
Plazhi i Zvernecit në Vlorë, një prej zonave më të bukura të bregdetit, është në një gjendje alarmante për shkak të mbeturinave të lëna pas nga vizitorët. Çdo ditë, familjarë që shijojnë ditë relaksi në këtë plazh hedhin ushqime dhe mbeturina në tokë dhe në det, duke ndotur mjedisin dhe duke vënë në rrezik ekosistemin e zonës. Ky fenomen është i pranishëm sidomos gjatë sezonit të verës, kur fluksi i turistëve rritet ndjeshëm.
Një qytetar ka ngritur shqetësimin për gjendjen e plazhit, duke theksuar se njerëzit duhet të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e hapësirave publike. Sipas tij, plazhi ndodhet në gjendje të mjerueshme pasi shumë familjarë konsumojnë ushqime dhe i hedhin mbetjet në tokë ose në det. Ai e konsideron të domosdoshëm një mesazh sensibilizues për të gjithë.
Apelohet për një përgjegjësi më të madhe nga të gjithë ata që frekuentojnë këtë plazh, që të respektojnë natyrën dhe ta mbrojnë atë nga ndotja. Bashkia e Vlorës duhet të marrë masa konkrete për të përmirësuar situatën. Zverneci duhet të mbetet një vend i pastër dhe i këndshëm për të gjithë. Është thelbësore që secili prej nesh të hedhë mbeturinat vetëm në vendet e caktuara dhe të mos e ndotë natyrën. Kujdesi dhe përgjegjësia janë çelësi i ruajtjes së pasurisë natyrore që na ka dhuruar ky vend.





