Thethi ka parë shumë vizitorë këtë verë, por asnjë si Pëllumb Pilinçi. I shfaqur me një makinë të zezë luksoze dhe i rrethuar nga truproja shtatlartë që të kujtonin skenat e eskortës së Donald Trump, ky personazh sa misterioz aq edhe komik, ka shkaktuar kuriozitet dhe tronditje në rrjetet sociale. Në një deklaratë të bujshme, ai u shpreh hapur se do ta “tërheqë Edi Ramën zvarrë”, duke i shpallur kryeministrit një lloj lufte personale dhe politike.
Por kush është në të vërtetë Pëllumb (Gani) Pilinçi? Ai është një profesor dhe publicist shqiptaro-amerikan me profil të spikatur kritik ndaj qeverive shqiptare. Themelues i partisë “Shpresa Demokrate”, Pilinçi është njohur për thirrjet e tij për një qeveri teknike dhe për një moral të ri politik në Shqipëri. Ka lindur më 16 prill 1948 në burgun famëkeq të Maliqit, si pasojë e përndjekjes ndaj familjes nga regjimi komunist. Emigroi në SHBA në vitin 1975, ku u diplomua në Montclair State University dhe ushtroi karrierë akademike për dekada. Gjatë qëndrimit në Amerikë ka pasur kontakte me figura të larta të politikës amerikane, përfshirë edhe takime me presidentin George H. W. Bush. Sot, ai rikthehet në skenën publike shqiptare me tone të forta, spektakël personal dhe ambicie të pazakonta.





