Kryeministri Edi Rama ka pranuar për herë të parë dështimin e projektit digjital e-Albania, që u promovua nga ish-drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, si zgjidhje për eliminimin e radhëve, vonesave dhe korrupsionit në shërbimet publike. Në vend të lehtësimit, platforma është kthyer në një barrë për shumë qytetarë, veçanërisht për ata që nuk kanë aftësi dixhitale apo akses të lehtë në internet.
Në një deklaratë publike, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e e-Albania, t’u drejtohen zyrave të bashkive apo njësive administrative përkatëse në çdo qytet, ku do të marrin ndihmë falas. Kjo lëvizje interpretohet si një tërheqje nga modeli i centralizuar dixhital, dhe një dështim i qasjes së ndjekur nga Karçanaj, e cila mbrojti platformën për vite me radhë si simbol të “shtetit modern”.
Ironikisht, në vend që të reduktonte korrupsionin, e-Albania ka krijuar një treg të ri informal ku noterë, avokatë dhe agjenci private kërkojnë pagesa të paligjshme për të ndihmuar qytetarët me aplikime digjitale që, në teori, janë falas. Rama paralajmëroi se çdo subjekt privat që kërkon pagesë për shërbime të e-Albania-s është në shkelje të ligjit dhe rrezikon deri në heqje licence. Por shumë qytetarë denoncojnë se janë zhvatur për shërbime bazë si nxjerrja e certifikatave apo aplikimi për ndihmë ekonomike.
Me këtë hap të fundit, platforma që dikur u promovua si krenaria dixhitale e qeverisë, duket se po zhbëhet në heshtje, ndërsa përgjegjësia zhvendoset te pushteti vendor, pa asnjë reflektim institucional për dështimin.





