FLASH :

Video/Dy banda me armë dhe hanxharë përplasen para fëmijëve dhe pushuesve

Skena kaosi u regjistruan në qytetin bregdetar të Southend, ku dy banda rivale adoleshentësh nga Londra, të armatosur me hanxharë dhe një armë zjarri, përplasën dhunshëm njëra-tjetrën në mes të qytetit plot me familjarë dhe fëmijë në pushime. Prindërit u panë duke tërhequr fëmijët për t’i shpëtuar nga përleshjet e përgjakshme që ndodhën në rrugë, pranë lokaleve dhe një parku për fëmijë.

Incidenti ndodhi më 30 korrik 2023 dhe përfshiu anëtarë të bandave “Northside” dhe “Southside” të Newham-it, të cilët kishin ardhur me tren për t’u përballur në mënyrë të organizuar. Pamjet e publikuara në gjykatë tregojnë adoleshentë që vrapojnë me thika të mëdha në duar, duke përndjekur njëri-tjetrin mes turistëve në rroba banje, teksa një 16-vjeçar qëlloi me një armë zjarri të modifikuar. Dy të rinj përfunduan në spital me plagë të rënda, por mbijetuan dhe u gjykuan bashkë me tetë të tjerë. Tetë prej tyre u dënuan me deri në 8 vite burg për dhunë dhe komplot për lëndim të rëndë trupor.

Drejtuesit e bizneseve në qytet e përshkruan ngjarjen si “shkatërruese për reputacionin turistik” të Southend-it, ndërsa prindërit e punonjësve adoleshentë ndaluan fëmijët e tyre të dilnin në punë nga frika. Gjykatësja e çështjes e cilësoi ngjarjen si një “akt të dhunës së organizuar bandash, që tronditi qytetin në mes të pushimeve verore”.