Një çarje gjigante me gjatësi deri në 1 kilometër është hapur pas një shpërthimi vullkanik në gadishullin Reykjanes të Islandës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë turistët dhe banorët nga zona e njohur turistike Blue Lagoon dhe qyteti i afërt Grindavik. Pamjet dramatike tregojnë shtylla tymi dhe llavë përvëluese me ngjyra të ndezura që dalin nga toka.
Zyra meteorologjike e Islandës konfirmoi se magma çau papritur koren tokës, duke krijuar një çarje të gjatë nga 700 në 1,000 metra. Shpërthimi nuk dha shumë sinjale paralajmëruese, ndërsa televizioni publik RUV raportoi se evakuimi ndodhi menjëherë pasi policia lëshoi alarmin. Grindavik, i evakuuar që prej vitit 2023, vijon të jetë kryesisht i braktisur për shkak të rrezikut të përsëritur nga vullkani.
Pavarësisht intensitetit të shpërthimit, autoritetet sqaruan se deri tani nuk ka pasur ndikim në trafikun ajror, ndërsa kryeqyteti Reykjavik mbetet i sigurt. Ky është shpërthimi i dymbëdhjetë në zonë që prej raktivizimit të sistemit vullkanik të gadishullit Reykjanes në vitin 2021.














