Leonard Mnella, shqiptari me tre identitete i cili kishte arritur të shpallej i vdekur në vitin 2013 me një vendim gjykate shqiptar, është ekstraduar këtë të martë drejt Italisë për të vuajtur një dënim me 25 vite burg. Ai rezulton i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, trafik ndërkombëtar droge dhe shkelje të ligjit për armët.
Mnella, i arrestuar vitin e kaluar në Michigan të SHBA-së, kishte qenë në arrati për më shumë se dy dekada. Në vitin 2003 ai u zhduk nga Italia dhe më pas falsifikoi një akt vdekjeje, duke pretenduar se kishte ndërruar jetë në Amerikën Latine. Pas një hetimi të thelluar të zhvilluar nga autoritetet italiane dhe shqiptare në bashkëpunim me agjencitë amerikane dhe INTERPOL-in, ai u lokalizua, u deportua në Shqipëri dhe u arrestua në aeroportin e Rinasit në mars 2024. Prokuroria e Apelit e Salernos e konsideron Mnellën si figurë kyçe të një rrjeti kriminal që lidhte Amerikën e Jugut, Italinë dhe Shqipërinë, të përfshirë në rrëmbime, trafik heroine dhe dhunë të organizuar.







