Bashkimi Evropian po përgatitet të godasë me kundërmasa ndaj SHBA-së, pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave 30% për produktet europiane duke nisur nga 1 gushti. Komisioneri evropian për Tregtinë, Marosh Shevçoviç, konfirmoi se BE ka përgatitur një listë me produkte amerikane industriale dhe bujqësore që mund të tarifohen në mënyrë të ndërsjellë, për një vlerë totale prej 72 miliardë eurosh. Lista përfshin artikuj strategjikë si makina, aeroplanë dhe burbon.
Shevçoviç e quajti paralajmërimin e Trumpit “një ndryshim dramatik në dinamikën e negociatave” dhe e paralajmëroi se tarifat e reja do të përbënin “praktikisht një embargo tregtare”. Ai bëri thirrje për zgjidhje deri më 1 gusht për të shmangur një luftë të re tregtare transatlantike, që do të godiste rëndë të dyja ekonomitë. Komisioni Evropian po konsideron gjithashtu kufizime shtesë për eksportin e mbetjeve të çelikut dhe produkteve kimike drejt SHBA-së, në një përplasje që tashmë ka vënë në alarm ekonominë gjermane dhe industrinë e eksportit në Europë.










