Pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione funksionale për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, ndërsa bllokada politike ka ndodhur pa një prani të dukshme ndërkombëtare — derisa së fundmi diplomacia perëndimore ka nisur të lëvizë. Vizitat e zyrtarit të lartë amerikan Brendan Hanrahan dhe të emisares britanike Karen Pierce në Prishtinë shënuan kthimin e angazhimit diplomatik, duke kërkuar formimin urgjent të qeverisë dhe respektimin e parimeve demokratike.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti zhvilloi takime me të dy zyrtarët e huaj, por deklaratat zyrtare të Zyrës së Kryeministrit shmangën përmendjen e drejtpërdrejtë të krizës politike. Në kontrast, partitë opozitare — PDK, LDK dhe AAK — e shfrytëzuan rastin për të ngritur alarmin mbi bllokimin institucional dhe nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse. LDK propozoi krijimin e një qeverie kalimtare deri në zgjedhjen e presidentit në mars 2026, ndërsa PDK e AAK theksuan domosdoshmërinë e stabilitetit institucional dhe forcimit të aleancave ndërkombëtare. Vizitat tregojnë se durimi ndërkombëtar po soset dhe presioni diplomatik po rritet për t’i dhënë fund ngërçit që ka futur Kosovën në një krizë të thellë legjitimiteti.