FLASH :

Momentet finale përpara shpërthimit të avionit / Vdes dhe infermierja në ditën e parë të punës

Pamjet e fundit të avionit që u rrëzua në Aeroportin Southend tregojnë mjetin duke përshpejtuar në pistë, pak çaste para se të kthehej përmbys dhe të shpërthente në një top flake. Të katër personat në bord humbën jetën, përfshirë një infermiere 31-vjeçare, Maria Fernanda Rojaz Ortiz, e cila po punonte për herë të parë si infermiere fluturimi.

Avioni 12 metra i gjatë, i operuar nga kompania holandeze Zeusch Aviation, kishte fluturuar më parë nga Athina në Pula (Kroaci), më pas në Southend, ku kishte lënë një pacient. Mjeti ishte planifikuar të kthehej në bazën e tij në Lelystad, Holandë. Sipas policisë së Essex-it, të katër viktimat ishin shtetas të huaj: dy pilotë holandezë, një infermiere kiliane me shtetësi gjermane dhe një tjetër pasagjer i paidentifikuar.

Avioni tip Beech B200 Super King Air u përmbys në ajër vetëm sekonda pas ngritjes dhe u përplas me kokë në tokë. Pamje të rënda në rrjetet sociale tregojnë momentin e shpërthimit dhe flakët që përfshinë mjetin. Dëshmitarët në një hotel aty pranë dhe në një fushë golfi të afërt përshkruan me tmerr skenën, ndërsa aeroporti është mbyllur “deri në një njoftim të dytë”.

Ndërkohë, Autoriteti i Hetimeve të Aksidenteve Ajrore ka nisur një hetim për shkaqet e tragjedisë, ndërsa Kryeministri britanik Keir Starmer shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.