Për herë të parë, Serbia dhe Kina do të mbajnë një stërvitje të përbashkët ushtarake në fund të këtij muaji, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Kinës. Manovrat me emrin “Paqeruajtësit 2025” do të zhvillohen në provincën Hebei, në Kinën veriore, dhe do të përfshijnë forcat speciale të të dy vendeve.
Sipas kolonel Jiang Bin, që foli në një konferencë për shtyp, qëllimi i stërvitjes është forcimi i aftësive luftarake dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh ushtarak. Serbia, edhe pse e deklaruar si vend ushtarakisht neutral dhe pjesë e programit “Partneriteti për Paqe” të NATO-s, ka forcuar lidhjet me Kinën në dekadën e fundit. Pekini është bërë një investitor kyç në infrastrukturën dhe industrinë serbe, ndërsa Beogradi mbështetet te Kina si një aleate në çështje të ndjeshme si kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës. Stërvitja vjen në një moment delikat për Serbinë, që ruan ekuilibrin mes integrimit europian dhe lidhjeve me Lindjen.