Tre persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën pas një goditjeje rrufeje në vendpushimin Shakhtyor, në rajonin Tula të Rusisë, rreth 120 kilometra në jug të Moskës. Viktimat janë një burrë dhe një grua nga Moska dhe një djalë adoleshent vendas, të cilët humbën jetën përpara mbërritjes së ambulancave, njoftuan autoritetet lokale përmes agjencisë TASS.
Sipas kanalit të lajmeve Baza në Telegram, viktimat janë identifikuar si një burrë 55-vjeçar, një grua 50-vjeçare dhe një djalë 13-vjeçar. Dy gra u shtruan në spital, njëra prej tyre në gjendje kritike, ndërsa një burrë dhe një adoleshent morën ndihmë mjekësore në vendngjarje. Prokuroria ka nisur një hetim për shkelje të mundshme të standardeve të sigurisë në plazh, ndërsa zona u përfshi nga stuhi të forta pas një vale të nxehti në fundjavë.







