Një operacion sekret nga agjentë amerikanë, që ka depërtuar me sukses në një rrjet global të trafikut të drogës të drejtuar nga karteli Kinahan, është zbuluar për herë të parë — vetëm pak ditë pasi tetë trafikantë u dënuan me burg, pasi u kapën në një aksion të forcave speciale mbi një “tanker narkotik” në Detin Irlandez.

Në një operacion dramatik, i denjë për një film aksion, agjentët e Administratës Amerikane për Zbatimin e Ligjit mbi Drogat (DEA) arritën të futen në rrjetin ndërkombëtar të grupit. Dokumentet e sapo-deklasifikuara të një gjykate federale tregojnë se grupi i dhunshëm po përpiqej të zgjerohej globalisht për t’u bërë rival i kartelit famëkeq Sinaloa të Meksikës.
Banditët e perandorisë irlandeze të narkotikëve — me lidhje në Britaninë e Madhe — akuzohen për trafik ndërkombëtar të metamfetaminës dhe substancave të para për prodhimin e fentanilit.
Zbulimet e DEA-s kanë tronditur drejtuesit e lartë të këtij grupi, pasi hetimi tregon një ndryshim të qartë nga trafiku tradicional i kokainës drejt drogave sintetike.

Operacioni i agjentëve amerikanë vjen pak pas arrestimit dhe dënimit të tetë anëtarëve të kartelit Kinahan, të cilët u përpoqën të trafikonin 2.2 ton kokainë me vlerë mbi 132 milionë paund (178 milionë dollarë) në Irlandë.
Sasia gjigande e drogës u kap pasi trupat elitë të Ushtrisë Irlandeze zbarkuan me helikopter në anijen panameze MV Matthew në shtator 2023 — aksioni u vlerësua si kapja më e madhe ndonjëherë e kokainës në ujërat irlandeze dhe zbuloi lidhjet e Kinahanëve me grupin terrorist të mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Karteli Kinahan, i themeluar në fund të viteve 1990 në Dublin dhe i udhëhequr nga “Dapper Don” Christy Kinahan, është i njohur për metodat brutale, përfshirë vrasjet mafioze ndaj rivalëve. Familja Kinahan aktualisht jeton në Dubai dhe është objekt i sanksioneve ndërkombëtare, me një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që çon në arrestimin e tyre.
Sipas The Times, DEA kishte infiltrarë grupin që në qershor 2022, përmes një informatori sekret të koduar si “Queen”, i cili arriti të fitonte besimin e kanadezit Opinder Singh Sian, një figurë e lartë në rrjet, i arrestuar muajin e kaluar në Nevada. Sian pretendoi se kishte lidhje me Kinahanët, mafien italiane dhe një trafikant turk të shumëkërkuar.

Në mars 2023, në një restorant në Manhattan Beach të Kalifornisë, Sian dhe agjentët e fshehtë planifikuan një dërgesë të madhe metamfetamine drejt Australisë, ku çmimi për kilogramin e drogës mund të kalojë 200,000 dollarë. DEA më pas ndërtoi një dorëzim të simuluar, duke zëvendësuar drogën reale me paketime fiktive, ndërkohë që autoritetet australiane ndoqën dërgesën përmes GPS deri në një bazë të dyshuar në Sydney.
Po ashtu, hetimet zbuluan plane për të futur kimikate për prodhimin e fentanilit nga Kina në SHBA përmes Kanadasë. “Queen” u takua me dy bashkëpunëtorë kanadezë të Sian për të zhvilluar këtë plan.

Nuk është e qartë nëse ky operacion çoi drejtpërdrejt në kapjen e anijes MV Matthew, por hetimi paralel i autoriteteve irlandeze çoi në një prej operacioneve më spektakolare ndonjëherë. Garda Kombëtare e Irlandës (An Garda Síochána) vëzhgoi lëvizjet e anijes që nga nisja e saj nga Curacao, afër Venezuelës. Një anije peshkimi (FV Castlemore) e lidhur me kartelin dështoi disa herë të kryente transferimin e kokainës.
Gjatë një tentative përfundimtare, anija peshkimi kërkoi ndihmë pasi ngeci në një rërë pranë bregut të Wexford dhe ekuipazhi u shpëtua nga helikopteri i Rojës Bregdetare — duke u dorëzuar pa e ditur.

Në anijen mëmë MV Matthew, paniku ishte i madh. “Kapiteni Noah”, një figurë drejtuese në Dubai, urdhëroi ekuipazhin të fshihte drogën në një varkë shpëtimi, por operacioni dështoi për shkak të ndërhyrjes së forcave speciale irlandeze. Garda paralajmëroi anijen, por ajo injoroi urdhrat. U qëlluan të shtëna paralajmëruese dhe më pas komando elitare zbarkuan nga helikopteri, duke e ndërprerë arratisjen.

Tetë persona u arrestuan dhe tashmë janë dënuar:
- Cumali Ozgen, 49 vjeç, nga Holanda – 20 vite burg
- Harold Estoesta, 31 vjeç, nga Filipinet – 18 vite burg
- Soheil Jelveh, 51 vjeç, nga Irani – 17.5 vite burg
- Vitaliy Vlasoi, 33 vjeç, nga Ukraina – 16.5 vite burg
- Saeid Hassani, 40 vjeç, nga Irani – 15 vite burg
- Mykhailo Gavryk, 32 vjeç, nga Ukraina – 14 vite burg
- Vitaliy Lapa, 62 vjeç, nga Ukraina – 14.5 vite burg
- Jamie Harbon, 31 vjeç, nga Britania – 13.5 vite burg
Zëvendës-komisionerja për Krimin e Organizuar në Irlandë, Angela Willis, deklaroi:
“Grupet kriminale transnacionale nuk njohin kufij. Ata shfrytëzojnë njerëzit për përfitime financiare, ku jeta ka pak vlerë dhe paratë janë gjithçka që ka rëndësi.”







