FLASH :

E kërkonte Spanja për mashtrim me call-centera, kapet në Tiranë pasi përdori celularin në timon

Një anëtar i organizatës kriminale të Amant Josifit është arrestuar në mënyrë krejt rastësore nga Policia Rrugore e Tiranës.

Në pranga ka rënë 37-vjeçari Ndriçim Sula, i cili rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për përfshirje në skemat mashtruese me call-centera.

Sula u ndalua në Tiranë pasi u kap duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të mjetit, por pas verifikimeve të thelluara rezultoi se ai ishte në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë për pjesëmarrje në aktivitet kriminal, si pjesë e rrjetit të drejtuar nga Amant Josifi.

Autoritetet shqiptare po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku ai pritet të përballet me drejtësinë për mashtrim në përmasa të mëdha.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Tiranë/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.

Kapet nga Policia Rrugore e Tiranës, pjesëtari i një organizate kriminale të akuzuar në Spanjë, për mashtrim me pasoja të rënda.

Gjatë monitorimit sistematik që kryhet në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore dhe shërbime të shtuara, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës konstatuan shtetasin N. S., 37 vjeç, duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas ndalimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranë rezultoi se 37-vjeçari ishte në kërkim për llogari të autoriteteve spanjolle.

Gjykata e Seu de Urgell i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasin N. S., për ekstradimin e të cilit Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin.