FLASH :

Denoncimi në Troç: Drejtorët e PS-së në Kukës zaptojnë dhe ndërtojnë të qetë pa leje

Në redaksinë e Lajmeve Troç ka mbërritur një denoncim i fortë që implikon disa drejtues lokalë të Partisë Socialiste në Kukës për ndërtime pa leje në mes të qytetit, me mbështetje të heshtur nga institucionet shtetërore.

Sipas denoncuesit, drejtori i OSHEE-së në Kukës, Elson Brati, ka ndërtuar kate shtesë pa leje mbi një lokal dhe ka zaptuar të gjithë trotuarin, duke lënë vetëm një metër hapësirë për kalimtarët. Një tjetër rast është ai i drejtorit të IKMT-së Kukës, Valon Muja, i cili po ndërton një objekt 4-katësh pa asnjë dokument ligjor. Pavarësisht se policia ka referuar rastin për ndjekje penale, ndërtimi vazhdon pa pengesë, pasi – sipas denoncuesit – ndërtuesi është babai i oficerit të Policisë Gjyqësore në Kukës, Remzi Duraku.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar, pasi po u bllokohet trotuari dhe asnjë institucion nuk ndërhyn. “Kemi marrë policinë, drejtorinë e IKMT, por askush nuk bën asgjë. Ai vazhdon i qetë, sikur është mbi ligjin,” – thuhet në mesazhin dërguar redaksisë. Denoncuesi thotë se është gati të dorëzojë edhe foto dhe emra të tjerë për t’i bërë publike. Lajme Troç u bën thirrje autoriteteve të hetojnë me urgjencë këtë situatë dhe të ndalojnë ndërtimet abuzive që po shkatërrojnë hapësirat publike në Kukës.