Në redaksinë e Lajmeve Troç ka mbërritur një denoncim nga një punonjës i Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (AMGKP), lidhur me emërimin e znj. Anisa Hoxha në pozicionin e Drejtoreshës së Drejtorisë Juridike në këtë institucion.
Sipas denoncuesit, znj. Hoxha është emëruar më 1 prill 2025, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 122, datë 26.02.2025, i cili ndalon emërimet dhe rekrutimet në administratën shtetërore gjatë periudhës zgjedhore 3 mars – 1 maj 2025. Në pikën 14 të këtij vendimi thuhet se “institucionet dhe shoqëritë aksionare publike, pjesë e administratës shtetërore, pezullojnë procedurat e rekrutimit dhe emërimit të punonjësve për periudhën zgjedhore”.
Denoncimi ngre gjithashtu shqetësime për mungesën e përvojës së znj. Hoxha, duke theksuar se ajo nuk plotëson kriteret profesionale për një pozicion të tillë drejtues, ndërsa theksohet se mungesa e eksperiencës ka ndikuar negativisht në performancën e drejtorisë juridike, duke shkaktuar vendimmarrje të papërshtatshme dhe demotivim të stafit.
Një tjetër element i rëndë në këtë rast është fakti se pozicioni nuk është shpallur si vend vakant në asnjë kanal zyrtar, duke shkelur parimet e transparencës dhe meritokracisë dhe duke përjashtuar kandidatë të tjerë potencialë nga procesi i konkurrimit.
Denoncimi:
Përshëndetje,
Jam një punonjës pranë institucionit AMGKP ( Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera ), dua të sjell në vëmendjen tuaj një shqetësim lidhur me emërimin e znj. Anisa Hoxha në pozicionin e Drejtoreshës së Drejtorisë Juridike në AMGKP( Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera ).
Bazuar në informacionet që disponoj, ajo nuk përmbush kriteret minimale të përvojës profesionale dhe përgatitjes për të drejtuar një institucion të tillë. Mungesa e eksperiencës ka reflektuar në menaxhim të dobët, vendimmarrje të papërshtatshme dhe demotivim të stafit. Përveçse emërimi në fjalë është kryer në kundërshtim me dispozitat e VKM-së në fuqi që ndalon emërimet në administratën publike gjatë periudhës zgjedhore.
Për më tepër, procedura e ndjekur është në shkelje të parimeve të transparencës dhe meritokracisë, pasi pozicioni nuk është shpallur si vend vakant në asnjë kanal zyrtar, duke cënuar kështu të drejtën e barabartë të pjesëmarrjes në konkurim.Ky emërim është bërë në kohë fushate elektorale që bie në kundershtim me VKM Nr.122 datë 26.02.2025 pika 14 e citon shprehimisht “Institucionet dhe shoqërite aksionare publike, pjesë e administratës shtetërore që punësojnë punonjes, marrëdhënia e punësimit të të cilëve rregullohet sipas dispozitave të Kodit te Punës apo legjislacioni tjetër specifik, te ndryshëm nga ai i shërbimit civil, pezullojné procedurat e rekrutimit dhe të emërimit të nëpunësve/punonjesve per periudhën 3 mars 2025 – 1 maj 2025.”
Emërimi I Znj.Hoxha është bërë 1 prill 2025.Ju kërkoj të verifikoni këtë situatë shumë shqetësuese. Faleminderit për mirëmuptimin dhe shpresoj që ti jepni zë këtij rasti.
Redaksia e Lajmeve Troç po ndjek zhvillimin e këtij rasti dhe i bën thirrje institucioneve përkatëse të sqarojnë situatën dhe të hetojnë ligjshmërinë e këtij emërimi në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.




