Franca dhe Kaledonia e Re kanë arritur një marrëveshje “me rëndësi historike”, përmes së cilës arkipelagu në Oqeanin Paqësor do të shpallet zyrtarisht si një shtet i ri me status të veçantë, por do të mbetet pjesë e Republikës Franceze. Marrëveshja u shpall pas përfundimit të bisedimeve 10-ditore në Paris dhe synon të zgjidhë krizën e thellë politike dhe etnike që përfshiu territorin në maj 2024.
Marrëveshja parashikon një “kombësi të re” për banorët, që do të mbajnë njëkohësisht edhe nënshtetësinë franceze, si dhe vendos një kufi 10-vjeçar për të drejtën e votës në arkipelag, me qëllim mbrojtjen e interesave të komunitetit autokton kanak. Kjo pikë ishte një nga arsyet e përplasjeve të ashpra vitin e kaluar, që lanë 14 të vdekur dhe shkaktuan mbi 2 miliardë euro dëme ekonomike.
Statusi i ri do të kalojë fillimisht për miratim në Parlamentin francez dhe më pas në një referendum popullor në Kaledoninë e Re, që pritet të mbahet në vitin 2026. Presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri François Bayrou e cilësuan marrëveshjen si hap vendimtar drejt pajtimit kombëtar dhe rimëkëmbjes ekonomike, veçanërisht në sektorin e nikelit, burimi kryesor i të ardhurave për arkipelagun me 270 mijë banorë.