Një person humbi jetën ditën e djeshme në fshatin Tervol të Gramshit, teksa po hapte një pus pa leje, pasi u zë nga një masiv dheu që u rrëshqit gjatë punimeve me fadromë. Ngjarja e rëndë ka çuar sot në arrestimin e dy personave: drejtuesit të mjetit dhe pronarit të objektit.
Policia e Elbasanit bëri me dije se pas hetimeve për vdekjen e shtetasit H. D., janë ndaluar S. B., 41 vjeç, dhe S. D., 53 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”. Sipas hetimeve, fadroma e drejtuar nga S. B. po kryente gërmime në pronën e S. D. kur ndodhi rrëshqitja fatale. Të dy të arrestuarit i janë referuar prokurorisë për vijim të procedurave ligjore.