FLASH :

Video/Sulm mizor ndaj një të moshuari në mes të ditës – grabitet dhe përplaset në tokë para bashkëshortes

Një pushues britanik 85-vjeçar është sulmuar dhe tërhequr zvarrë gjatë një shëtitjeje me bashkëshorten në resortin Cala Millor në Majorka, pasi një grabitës i vodhi çantën me portofolin. Ngjarja ndodhi në mesditë, në zonën më të frekuentuar turistike në lindje të ishullit, jo shumë larg vilës së famshme të “Love Island”.

Pamjet filmike tregojnë autorin – veshur me tuta të zeza dhe me një çantë shpine – duke ndjekur viktimën para se ta sulmonte nga pas. I moshuari u përpoq të mbante çantën, por ra në tokë duke goditur kokën. Policia lokale identifikoi dhe arrestoi autorin disa orë më vonë, ndërsa viktima e njohu si sulmuesin e tij. Nuk është bërë e ditur gjendja shëndetësore e britanikut apo nëse iu kthyen sendet e vjedhura.

Ky incident vjen mes paralajmërimeve në rritje për rrezikun e grabitjeve në vendet turistike si Majorka dhe Ibiza, ku bandat nga Napoli apo vende të tjera shënjestrojnë turistët për orët e shtrenjta apo sende me vlerë. Autoritetet britanike këshillojnë udhëtarët të jenë vigjilentë ndaj krimeve të rrugës dhe makinave të dyshimta që pretendojnë të jenë polici civile.