FLASH :

Kur Shtetet e Bashkuara kishin këllqe t’i thonin “stop” Izraelit

Nga Brenton Kotorri

Dikur, jo shumë kohë më parë, Shtetet e Bashkuara dinin të vendosnin vijat e kuqe për Izraelin. Në vitet 1950, kur oreksi i Izraelit për territor ndeshej me rendin e brishtë ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore, presidenti amerikan Dwight Eisenhower nuk hezitoi të përdorte presion të vërtetë. Në vitin 1956, kur Izraeli u bashkua me Britaninë dhe Francën për të pushtuar Egjiptin, Eisenhower kërkoi tërheqje të menjëhershme. Ai bllokoi ndihmën, ushtroi trysni ekonomike dhe i bëri të qartë Tel Avivit se asnjë lobim në Uashington nuk mund të justifikonte një akt agresioni të tillë.


Më vonë, në vitet ’70, edhe Henry Kissinger, një realist i ftohtë dhe kalkulues nuk ngurroi të vononte dërgesat e avionëve ushtarakë për të detyruar Izraelin të bënte lëshime në gadishullin Sinai. Kur Izraeli bombardoi reaktorin bërthamor të Irakut në vitin 1981, presidenti Ronald Reagan ndaloi përkohësisht dërgimin e avionëve F-16. Edhe presidenti Harry Truman, i cili e njohu i pari shtetin e Izraelit, e kuptonte se duhej të vendoste kufij të qartë. Të gjithë këta udhëheqës, me ideologji të ndryshme, kishin një pikë të përbashkët: ata besonin se mbështetja për Izraelin nuk duhej të ishte e pakushtëzuar. As moralisht, as strategjikisht.


Sot, gjithçka duket ndryshe. Në dy vitet e fundit, Izraeli ka kryer akte që tejkalojnë gjithçka nga e kaluara e tij: me dhjetëra mijëra civilë të vrarë në Gaza, infrastruktura civile e shkatërruar sistematikisht, ndihma humanitare e bllokuar qëllimisht. Megjithatë, Uashingtoni nuk arrin të ndërmarrë as veprime simbolike as pezullim ndihme, as diskutim serioz për armët, as ndonjë shfaqje të shkurtër të indinjatës morale. I vetëshpallur si “negociatori i madh,” Donald Trump nuk vuri asnjëherë kusht ndaj Izraelit. As nuk ndaloi dërgimin e raketave, as nuk kërkoi të respektohej ndonjë ligj amerikan mbi eksportin e armëve. Në krahasim me Eisenhowerin apo edhe Reaganin, ai nuk lëvizi as gishtin. Çfarë ka ndryshuar? Provat për krime lufte janë më të shumta se kurrë. Fuqia e Amerikës për të ndikuar me armët dhe paratë vijojnë të rrjedhin nga taksat e qytetarëve amerikanë. Ajo që ka ndryshuar është vullneti për ta trajtuar Izraelin si një aleat që duhet të përgjigjet për veprimet e tij. Sot, kemi përmbysjen e plotë të logjikës: Izraeli, i armatosur dhe i financuar nga SHBA, po kryen mizori në një ritëm historik, ndërsa Amerika, dikur e vetmja fuqi që mund ta frenonte, është kthyer në një spektator që lëshon deklarata të zbehta dhe tund supet në ekran.

Kjo nuk është forcë. Është dorëheqje nga policimi i botës. Është heqja dorë me vetëdije nga çdo precedent që dikur u jepte presidentëve amerikanë mundësinë të thonin: “STOP.” Amerikanët meritojnë të dinë se taksat e tyre, armët e tyre dhe mbulimi i tyre diplomatik po shërbejnë për të financuar një shkatërrim të përmasave historike. Dhe se trashëgimia e atyre presidentëve që guxuan të vendosnin kufij, qoftë dhe për disa javë, sot është varrosur nën rrënojat e Gazës.