Pas një fundi të hidhur në aventurën me Real Madridin dhe një disfate të rëndë në Botërorin për Klube ndaj PSG-së, Luka Modriç nuk humbi kohë për të kthyer faqen dhe për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij brilante.
Mesfushori kroat, fitues i Topit të Artë në vitin 2018, është gati të vishet kuqezi dhe të udhëheqë një Milan në kërkim të lavdisë së humbur. Falë një ndërhyrjeje të shpejtë dhe vendimtare të drejtorit Igli Tare, marrëveshja me Modriçin u finalizua në kohë rekord.
KONTRATA- Mesfushori 40-vjeçar ka firmosur një kontratë deri në vitin 2026 me një pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon. E vetmja gjë që mungon tani është njoftimi zyrtar. Pas disa javësh pushim, Modriç pritet të kryejë vizitat mjekësore dhe të bashkohet me ekipin e ri në fund të korrikut ose fillim të gushtit.
Për Milanin, kjo është një lëvizje me shumë peshë. Humbja e mesfushorit Reijnders dhe largimi i një figure kyçe si Teo Hernandez e kanë lënë skuadrën pa liderë të vërtetë në fushë. Pikërisht këtu hyn në lojë Modriç, i cili do të ketë detyrën të injektojë përvojën e tij të jashtëzakonshme dhe mentalitetin fitues në një grup të ri dhe të etur për rikthim në majat e futbollit italian e europian.
Trajneri Masimiliano Alegri, i rikthyer për të sjellë identitet dhe stabilitet, ka gjetur te Modriç aleatin ideal. Kombinimi i eksperiencës së kroatit dhe entuziazmit të të rinjve të Milanit mund të jetë çelësi për të rindërtuar një skuadër konkurruese.
Vetë Tare e cilësoi së fundmi Alegrin si njeriun e duhur për t’i dhënë skuadrës shpirtin që ka munguar në vitet e fundit. Modriç pritet të debutojë në San Siro më 17 gusht në sfidën e Kupës së Italisë ndaj Barit. Një javë më vonë, më 23 gusht, Milani do të presë Kremonezen në ndeshjen hapëse të kampionatit.