Tension në Theth, Qëndresa Qytetare: “Kallashnikovët zëvendësuan dialogun, shteti po dështon”
Qëndresa Qytetare ka reaguar ashpër pas përplasjes mes banorëve të Thethit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku situata doli jashtë kontrollit gjatë një aksioni për shembjen e disa ndërtimeve. Banorët, të revoltuar, tentuan t’i vënë flakën urës prej druri për të ndaluar ndërhyrjen e IKMT-së, ndërsa drejtori i institucionit, Fatmir Meta, akuzohet se ka fyer publikisht protestuesit.
Në reagimin e saj zyrtar, Qëndresa Qytetare e cilëson situatën si një dëshmi të degradimit të institucioneve ligjzbatuese, ku në vend të dialogut është zgjedhur përshkallëzimi me forca policore të armatosura me kallashnikovë dhe një qasje ofenduese ndaj qytetarëve. Organizata apelon për zgjidhje urgjente përmes dialogut për të shmangur pasoja të rënda dhe thekson se ky incident i rëndë në kulmin e sezonit turistik nxjerr në pah kontrastin mes propagandës shtetërore për turizmin dhe realitetit të dhunshëm në terren.