Në një analizë të publikuar më 10 korrik 2025 në Foreign Affairs, ekspertët Andrea Kendall-Taylor, Jim Townsend dhe Kate Johnston paralajmërojnë për pasojat e mundshme të një tërheqjeje të shpejtë të forcave amerikane nga Europa. Ndonëse samiti i fundit i NATO-s në Hagë solli një marrëveshje historike për rritjen e shpenzimeve ushtarake deri në 5% të PBB-së brenda dhjetë viteve, sinjalet nga Uashingtoni – dhe veçanërisht nga administrata e presidentit Trump – sugjerojnë një rishikim drastik të pranisë ushtarake amerikane, me qëllim zhvendosjen e fokusit në Indo-Paqësor dhe Kinën.
Ekspertët paralajmërojnë se një tërheqje e paplanifikuar e trupave amerikane do të krijonte boshllëqe të rrezikshme në mbrojtjen e NATO-s, duke përfshirë mungesën e aftësive jetike për zbulim, logjistikë, mbrojtje ajrore dhe ndërhyrje të shpejtë. Kjo do t’i jepte Kremlinit një mundësi të artë për të testuar unitetin e aleancës, përmes sulmeve hibride, provokimeve territoriale apo veprimeve të kufizuara ushtarake në zona strategjike si shtetet balltike apo Arkipelagu Svalbard. Autorët theksojnë se Europa po rrit gradualisht kapacitetet e saj, por i nevojitet kohë – dhe mbështetja amerikane duhet të mbetet deri sa këto kapacitete të jenë funksionale. Tërheqja e njëanshme, pa një dorëzim të koordinuar të detyrave, do të minonte besueshmërinë e NATO-s dhe do të rrezikonte një përballje të re ushtarake në kontinent.