Hetuesit po përqendrohen te veprimet e ekuipazhit të kabinës për tragjedinë ajrore të Air India, që i mori jetën 260 personave muajin e kaluar, duke e kthyer në një nga aksidentet më të rënda ajrore të viteve të fundit. Të dhënat paraprake nuk tregojnë për defekt teknik në avionin Boeing 787 Dreamliner, por sinjalizojnë një ndërhyrje fatale në sistemin e karburantit.
Sipas burimeve nga ekipi hetimor amerikan, çelësat që kontrollojnë rrjedhën e karburantit drejt motorëve u fikën pak pas ngritjes, duke shkaktuar humbje shtytjeje. Ende nuk dihet nëse veprimi ishte aksidental, i qëllimshëm apo i pakthyeshëm nga pilotët, kapiteni Sumeet Sabharwal me mbi 10,000 orë fluturimi dhe bashkëpiloti Clive Kunder me 3,400 orë përvojë.
Avioni u rrëzua pranë aeroportit në Ahmedabad, duke u përplasur në një konvikt studentësh dhe duke shkaktuar edhe 19 viktima në tokë. I vetmi që mbijetoi ishte Vishwashkumar Ramesh, një shtetas britanik.
Tensionet mes hetuesve indianë dhe amerikanë janë rritur për shkak të vonesave në analizimin e regjistruesve të zërit dhe të dhënave të fluturimit, ndërsa ekipi amerikan u tërhoq përkohësisht nga hetimi.
Kjo është ngjarja e parë fatale me një Dreamliner në flotën e Air India dhe një goditje e rëndë për Boeing, tashmë nën vëzhgim të rreptë për standardet e sigurisë së avionëve. Hetimi vijon, ndërsa asnjë pistë nuk përjashtohet ende.







