Një tjetër incident është raportuar sot nga Thethi, në kuadër të operacionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Situata është përshkallëzuar kur disa persona të paidentifikuar kanë goditur me molotov makineritë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sulmi me lëndë djegëse është përqendruar pranë urës në lagjen “Gjelaj”, ku po zhvillohej aksioni i shembjeve. Sipas burimeve nga vendngjarja, molotovët kanë dëmtuar fadromat.
Policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorëve, ndërsa nuk raportohet për të lënduar deri në këtë moment. Autoritetet janë në terren për të rikthyer rendin dhe për të garantuar vijimin e operacionit të nisur.







